Nxënës dhe të rinj nga Tropoja u angazhuan në një program për guidat turistike dhe promovimin e potencialit të zonës së tyre si një destinacion unik.
Ata shkëmbyen ide se si të tërheqin më shumë turistë dhe se si do të angazhohen në të ardhmen në hapjen e më shumë bujtinave dhe ruajtjen e traditave të Tropojës.
Diskutimet nxorën në pah elementët kryesorë që e bëjnë Tropojën të veçantë për vizitorët: bukuria natyrore, mikpritja; gastronomia tradicionale si: flia, mjalti, gështenjat dhe çaji i malit; si dhe trashëgimia kulturore.
Në të njëjtën kohë, të rinjtë diskutuan mbi nevojën për investime në infrastrukturë, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e shërbimeve për turistët, duke përfshirë shtimin e bujtinave, ndërtimin e rrugëve dhe vendosjen e tabelave orientuese për shtigjet natyrore.
Programi nxiti një reflektim të rëndësishëm mbi të ardhmen: Pse duhet të qëndrojmë këtu dhe si duhet ta çojmë Tropojën përpara? Kjo pyetje i sfidoi të rinjtë të mendojnë për mundësitë e zhvillimit dhe të kuptojnë se ndryshimi vjen nga brenda – me përkushtimin e tyre dhe përpjekjet e komunitetit.
Me vizionin dhe përkushtimin e tyre, të rinjtë e Tropojës po bëhen arkitektët e një të ardhmeje të re për rajonin, duke e kthyer pasurinë e tyre natyrore dhe kulturore në një aset të çmuar për zhvillimin ekonomik dhe turistik.
British Council po zbaton programin “Rrugë alternative”, një nismë e qeverisë britanike për reduktimin e emigracionit ilegal nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar, duke ofruar rrugë alternative për të rinjtë shqiptarë.