Banka Botërore sugjeron vendeve të Ballkanit Perëndimor tre instrumente për uljen e gazrave serë.

Në raportin e publikuar së fundi “Inputet e transportit në Ballkanin Perëndimor Narrativa e rritjes së gjelbër: Veprimet strategjike për një sektor transporti më të gjelbër dhe më efikas”, BB thekson se, “Ballkani Perëndimor po përjeton rritje ekonomike të qendrueshme, por ka ende sfida sa i takon kapërcimit të pengesave të lidhura me ndryshimet klimatike apo bllokimet e trafikut urban”.

Sipas Bankës Botërore, “vendet e rajonit Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, duhet të zbatojnë politika strategjike që do të çojnë së pari në: uljen e emetimeve të gazrave, nxisin investimet dhe përforcojnë tregtinë rajonale dhe përmirësojnë shëndetin e komunitetit”.

Konkretisht BB, sugjeron menaxhimin e shkarkimeve të automjeteve rrugore, që përfshin reduktimin e konsumit të energjisë dhe emetimeve në sektorin e automjeteve rrugore, i cili është një kontribuues kryesor në ndotjen urbane dhe përbën 70 për qind të konsumit total të naftës dhe për 95 për qind të emetimeve të gazeve serrë të lidhura me transportin në Ballkanin Perëndimor.

“Arritja e këtij qëllimi kërkon si automjete më të pastra me motorë me djegie të brendshme, ashtu edhe një zhvendosje graduale drejt lëvizshmërisë elektrike, të mbështetur nga masat rregullatore, programet nxitëse dhe reformat tatimore”, citon BB në dokumentin e saj.

Çdo vend në Ballkanin Perëndimor do të ketë nevojë për një strategji të përshtatur për dekarbonizimin dhe elektrifikimin e transportit që merr parasysh dinamikat specifike, barazinë, implikimet ekonomike dhe peizazhin politik.

Nga ana tjetër integrimi efikas rajonal synon të përmirësojë lidhjen brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis vendeve fqinje, duke lehtësuar tregtinë dhe duke rritur elasticitetin e infrastrukturës së transportit në një rajon të cenueshëm ndaj goditjeve të lidhura me klimën.

Ndërkohë që lëvizshmëria urbane me në qendër njerëzit, fokusohet në zhvendosjen e lëvizshmërisë urbane drejt mënyrave më të pastra dhe më gjithëpërfshirëse, ndërsa adreson sfida të rëndësishme në zonat urbane, si ndotja e ajrit dhe bllokimet.

Raporti i Iniciativës për Mobilitetin Urban të Ballkanit Perëndimor analizon disa qytete në rajon, duke përfshirë Sarajevën, Banja Lukën, Beogradin, Novi Sadin, Nishin, Prishtinën, Shkupin, Tiranën, Durrësin dhe Podgoricën dhe ofron rekomandime për ndërhyrje dhe mundësi investimi në lëvizshmërinë urbane.

BB thekson rolin kritik të çlirimit të sinergjive midis sektorit publik dhe privat për të lehtësuar vendosjen e zgjidhjeve të qëndrueshme të transportit.

Aktualisht Shqipëria synon të zvogëlojë me 45% emetimet e gazrave serrë në natyrë në dekadën e ardhshme. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që tashmë posedon “Planin e Veprimit për Zbutjen e emetimeve të gazit karbonik në natyrë” dhe “Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike”.