Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë së Durrësit, për shkak të kësaj situate, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së automjeteve në qytet dhe për t’i dhënë përparësi qytetarëve të cilët shkojnë në punë apo dërgojnë fëmijët në shkolla, kopshte, çerdhe, urdhërohet kufizimi në zonat si: Zona përgjatë rrugës “Adria”, “Stefan Kaçulini”, rruga “Glaukia”, rruga “Hysen Kërtusha”, rruga “Aleksandër Goga” (nga Drejtoria e Policisë deri tek Prefektura), Rruga e Dëshmorëve, bulevardi “Epidamn”, rruga “Egnatia”, rruga “Taulantia”, rruga e Currilave, rruga “Mars 91”, si dhe të gjitha segmentet rrugore në brendësi të unazës së përcaktuar sipas hartës.

Vasil Çopa, drejtor i Policisë Bashkiake të Durrësit, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, thotë se menjëherë pas ekzekutimit të këtij urdhri të ri, po shihen “frytet” e para në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve. “Nga 15 janari që ka filluar ekzekutimi i këtij urdhri është parë një rrjedhshmëri dhe normalitet në lëvizjen e qytetarëve. Janë menduar oraret 07:00- 09:00 dhe 16:00-18:00, sepse praktikisht janë piku i lëvizjeve, kur qytetarët shkojnë punë apo çojnë fëmijët në kopshte e çerdhe dhe pasdite kur ata dalin nga punët. Ky urdhër do të zbatohet deri në 15 maj, ndërsa në verë do të ketë një urdhër të ri për sezonin veror. Ky urdhër vlen për pjesën e unazës së brendshme në qytetin e Durrësit dhe jo për periferitë”, thotë Çopa.

Sipas drejtorit të Policisë Bashkiake, java e parë ka qenë më shumë ndërgjegjësuese, duke ndaluar drejtuesit e mjeteve dhe duke i udhëzuar për rregullat e reja të qarkullimit. “Por, nga dita e djeshme kanë nisur masat administrative për shkeljet, pra gjobat”, thekson Çopa.

Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë së Durrësit, ndalimi i qarkullimit do të bëhet për mjetet ATP (automjet të transportit të përzier) dhe me ngarkesë të përgjithshme, me masë maksimale të autorizuar nga 1,4 tonë deri në 6,5 tonë, nga e hëna në të premte, gjatë orarit 07:00- 09:00 dhe 16:00-18:00, ndalimi i qarkullimit të mjeteve me tonazh të rëndë ATV (automjete të transportit të veçantë) me masë maksimale të autorizuar mbi 6,5 tonë (betoniere, kamionë, trajler, etj.).

“Subjektet tregtare do të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese sipas orarit përkatës dhe sinjalistikës së vendosur. Lejohet qarkullimi i të gjitha mjeteve të policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Plazh, Agjencisë së Parqeve Urbane, Ndërmarrjes Rruga dhe mjetet e transportit publik urban. Qarkullimi i mjeteve gjatë kufizimit të vendosur nëpërmjet këtij urdhri, do të kryhet vetëm sipas autorizimeve përkatëse të lëshuar nga Bashkia Durrës”, cilësohet në njoftimin e kësaj bashkie.