Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi vuri në dukje se Qendra e Kërkimeve në Bioteknologji dhe Gjenetikë u ngrit me mjaft mund, si një përvojë e parë e Akademisë së Shkencave për të ngritur qendra të reja të kërkimit, fillimisht me buxhete tepër modeste.

Ai theksoi nevojën e investimeve në fushën e mjekësisë, në të cilën teknologjitë e reja, arritjet më të fundit të shkencës janë më se të domosdoshme për rritjen e cilësisë në kërkimin shkencor, për të cilin është dashur të thyhen disa koncepte duke treguar se Akademia e Shkencave, strukturat e saj nuk bëjnë shkencë për shkencë, por shkencë në dobi të ekonomisë, në dobi të shoqërisë, pra shkencë të zbatueshme.

Është pikërisht kjo njësi e përhershme, njësi autonome pranë Akademisë së Shkencave, që menjëherë pas marrjes së statusit ka filluar për të afruar zbatime të prekshme në fushën e mjekësisë.

Workshop-i u drejtua nga akad. Genc Sulçebe dhe prof. Jera Kruja. Akad. Genc Sulçebe u shpreh se është meritë e Kryetarit të ASH që u ngrit QKBGJ-ja dhe është një risi e sfidë në implementimin e punës kërkimore. Prof. Jera Kruja u shpreh se studimi për imunologjinë në Qendrën e Shërbimeve Universitare të Neurologjisë dhe Pediatrisë të QSUNT-së mungonte, dhe ky studim me kontributin e ASHSH-së dhe të akad. Sulçebeut tashmë është kompletuar.

Në QKBGJ u zbatuan për herë të parë në vendin tonë ekzaminime të reja laboratorike që ndihmojnë në mënyrë të rëndësishme në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të disa sëmundjeve të sistemit nervor me natyrë autoimune, siç janë skleroza multiple, neuromieliti optik, miastenia e grave, encefaliti autoimun apo polineuropatite periferike.

Nga të dhënat paraprake, në popullatën shqiptare janë identifikuar pesë alele specifike të sistemit gjenetik HLA që janë favorizuese për sklerozën multiple dhe gjashtë të tjerë që kanë efekt mbrojtës nga kjo sëmundje pasi hasen shumë më pak ose aspak në individët e sëmurë në krahasim me popullatën e shëndoshë.