Marrëveshja e re u jep mundësinë hidrocentraleve të vogla ta shesin edhe në treg të lirë energjinë e gjeneruar.

Kjo marrëveshje është hartuar nga FTL, në cilësinë e saj si e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik të blerjes së energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në bazë të marrëveshjes, shitësi i vendos në dispozicion blerësit parashikimet dhe programet e prodhimit, jo më vonë se data 1 gusht të vitit aktual, parashikimin vjetor me bazë mujore të prodhimit të energjisë elektrike për vitin pasardhës.

“Shitësi ka të drejtë të tregtojë të gjithë energjinë e prodhuar nga impianti gjenerues në tregun e lirë me kusht që brenda datës 1 gusht të vitit aktual, të informojë blerësin se e gjithë energjia e prodhuar për vitin pasardhës të tregtohet në tregun e lire”, thuhet në marrëveshje.

Kontrata aktuale parashikon që FTL të blejë të gjithë energjinë që prodhohet nga HEC-et me fuqi të instaluar deri në 15 MW, me një çmim fiks që aktualisht është 10 lekë/kWh.

Sipas shoqërisë, ndryshimet janë të domosdoshme për shkak të ndryshimeve ligjore dhe rregullatore, zhvillimeve në tregun e energjisë, problemeve të hasura gjatë zbatimit të kontratës aktuale, nevojës për përshtatje me praktikat më të mira të industrisë dhe rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin për auditimin e përputhshmërisë dhe rregullshmërisë të 2023-shit, për të përmirësuar kushtet e kontratave me Prodhuesit me Përparësi të Energjisë.

Draftkontrata është përfshirë në procesin e konsultimit publik me palët e interesit, përfshirë Shoqatën e Prodhuesve dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), në përputhje me rregulloren mbi procedurat e njoftimit dhe konsultimit publik të akteve të miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë.