Sipas drejtorit të Turizmit pranë kësaj bashkie, rritja e shifrave gjatë muajve të verës i përket pikave turistike në Velipojë dhe Theth, ndërsa në muajt e tjerë të vitit kjo rritje i takon kryesisht qytetit. Vihet re që në Shkodër, tashmë turizmi po fillon të shtrihet gjatë gjithë vitit, duke e kthyer këtë sektor në një biznes të qëndrueshëm për shumë bare, restorante, hotele, agjenci turistike, transport dhe njësi të tjera që ofrojnë produkte turistike.

“Kjo ecuri i dedikohet së pari, investitorëve, bizneseve dhe ushtrisë së madhe të njerëzve që shërbejnë në këtë fushë, të cilët vit pas viti po përmirësojnë ofertën e tyre për turistët duke shtuar produkte dhe tërhequr turistë në zonat ku operojnë”, theksoi ai.

“Pa dyshim, kjo rritje lidhet edhe me zhvillimin e përgjithshëm të turizmit në vend. Besoj gjithashtu se politikat e bashkisë Shkodër këtë vit kanë ndikuar pozitivisht në këtë drejtim. Eventet që zgjuan interesin e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve, promovimi i territorit dhe kujdesi për shtimin e produkteve turistike, e kanë sjellë Shkodrën në vëmendje dhe kanë pasuruar ofertën turistike të territorit tonë. Sigurisht, kemi ende shumë për të përmirësuar. Kemi mësuar shumë nga ky sezon dhe do të bëjmë më të mirën në sezonin tjetër”, shtoi ai.

Sipas shifrave zyrtare nga kjo bashki, zonat më të vizituara në Shkodër janë: Velipoja, Thethi, zona e liqenit të Shkodrës, pedonalja e qytetit, Kalaja e Shkodrës etj. Përveç aspektit natyror, Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishme kulturore, me atraksione të tilla si: Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu “Oso Kuka”, Muzeu i Kalasë etj.

Lumçi thotë se nëse i referohemi statistikave, Velipoja vitin e kaluar ka pasur 277 634 netqëndrime krahasuar me 222 444 netqëndrime në vitin 2023; Thethi ka pasur 39 431 netqëndrime gjatë vitit të kaluar krahasuar me 18 570 netqëndrime në vitin 2023; Qyteti i Shkodrës vitin e kaluar ka pasur 110 007 netqëndrime, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 85 951 netqëndrime.

“Për vitin 2025, është parashikuar një investim për rrugët e brendshme të plazhit të Velipojës, që synon të ketë një ndikim edhe në rritjen e numrit të vizitorëve në këtë pikë turistike të rëndësishme për bashkinë Shkodër. Rruga e Dukagjinit, e cila është në proces besojmë se do të ketë një ndikim akoma më të madh për të gjithë zonën e Alpeve dhe bukuritë natyrore që ofron kjo zonë. Hapja e rrugës Shëngjin – Velipojë, e cila pritet të hapet gjatë këtij sezoni veror do të jetë një tjetër aset që afron turistët me Velipojën duke shkurtuar distancat për të qenë më shpejt në perlën e Adriatikut në plazhin e Velipojës”, shtoi Lumçi.