Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në interpelancën e zhvilluar sot në Kuvend, me deputetin e PS-së Erion Braçe për kontratat mbi qiradhënien e tokave bujqësore, tha se, “MBZHR ka nisur procesin e digjitalizimit, një reformë që rrit transparencën në menaxhimin e tokës dhe në rritjen ekonomike të fermës”. Ministrja Krifca gjatë fjalës së saj u ndal në digjitalizimin e shërbimeve në bujqësi ku vuri theksin në krijimin e regjistrit të fermës dhe sistemin e regjistrimit të blegtorisë, sipas standardeve ndërkombëtare. “Po ndërtojmë për herë të parë, “Regjistrin e Fermës” se certifikuar, një pasqyrë të plotë që tregon të gjithë inventarin bujqësor për secilën fermë, që na jep informacionin e saktë jo vetëm për tokën ku po prodhohet, por dhe për protokollin dhe pesticidet që po përdoren”, u shpreh Krifca, teksa bëri të ditur se, me anë të këtyre të dhënave arrijmë të identifikojmë tokën, të qartësohemi për aktivitetin ekonomik të fermës, të ofrojmë siguri ushqimore të plotë për konsumatorët dhe rritjen sasiore dhe cilësore të prodhimit të fermerëve. “Mundësojmë kështu lidhjen e tokës me aktivitetin ekonomik bujqësor. Po ndërtojmë një sistem të ri digjital në funksion të blegtorisë në nivel kombëtar të verifikuar me informacion nga terreni që mundëson gjurmim të saktë në çdo fazë të mbarështimit dhe shëndetit të kafshëve. Ky informacion do të mundësojë kontroll në kohë reale midis të gjithë aktorëve të zinxhirit – blegtor, veteriner, institucione të sigurisë ushqimore dhe politikëbërësve”, deklaroi Krifca. Ministrja foli gjithashtu edhe për 3 sisteme të reja të cilat do të digjitalizohen plotësisht për të ofruar transparencë dhe eficencë në shërbim. “Po fuqizojmë sistemin LIMS të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë i cili ka një rol kyç në sigurinë ushqimore që mundëson dixhitalizimin e të gjithë proceseve laboratorike dhe shkurtimin ndjeshëm të kohës së pritjes se analizave. Po vëmë në jetë një sistem digjital për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit i cili do të gjurmojë në kohë reale procedurat e inspektimit”, tha Krifca. Gjithashtu, vijoi ajo, po kryejmë digjitalizimin e të gjithë proceseve administrative te aplikimit të Programit IPARD dhe kontrollit deri tek finalizimi i investimeve. Kështu përgjysmojmë kohën të procesimit të çdo aplikimi duke siguruar transparencën maksimale të procesit. Krifca tha se, për rritjen e efektivitetit të përdorimit të tokës bujqësore, kemi ngritur programin e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës bujqësore ku kemi ndërtuar një sistem me të dhënat kadastrale, të pronësisë, cilësisë dhe përdorimit të tokës- program i cili do të mundësojë fermerëve akses online të të dhënave rreth tipeve të tokës, kulturat dhe përshtatshmërinë bujqësore që është më e udhës të kultivohen me bazën e të dhënave në nivel parcele.
https://ata.gov.al/2022/07/14/digjitalizimi-i-bujqesise-krifca-transparence-ne-menaxhimin-e-tokes/