Qeveria amerikane ka vendosur sanksione të reja ndaj zyrtarëve të rangut të lartë në Venezuelë, disa orë pasi lideri autoritar, Nicolás Maduro u betua si president në mandatin e tij  të tretë 6-vjeçar.

“Tetë individët e sanksionuar përfshijnë presidentin e kompanisë shtetërore të naftës PDVSA, Héctor Obregón Pérez dhe presidentin e linjës ajrore shtetërore “Conviasa”, Ramón Celestino Velásquez Araguayán”, sipas Departamentit amerikan të Thesarit.

Uashingtoni vendosi gjithashtu sanksione ndaj oficerëve të lartë ushtarakë dhe policorë.

“Që nga zgjedhjet e vitit të kaluar, Maduro dhe bashkëpunëtorët e tij kanë vazhduar veprimet e tyre represive në Venezuelë”, tha nënsekretari i Departamentit amerikan të Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Bradley T Smith.

“Departamenti Amerikan i Shtetit gjithashtu rriti vlerën e shpërblimeve deri në 25 milionë dollarë për çdo informacionin që do të çonte në arrestimin e Maduro dhe ministrit të Brendshëm Diosdado Cabello”, sipas deklaratës.

Kanadaja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian njoftuan sot gjithashtu sanksione të reja ndaj individëve venezuelianë – pas ceremonisë së betimit të Maduros.

Londra sanksionoi 15 individë të afërt me Maduro, duke përfshirë zyrtarë ushtarakë dhe gjyqtarë, ndërsa vendet anëtare të BE-së zgjeruan masat ndëshkuese ndaj 15 anëtarëve të tjerë të autoritetit zgjedhor të Venezuelës, gjyqësorit dhe forcave të sigurisë.