Imzot Gjergj Meta, president i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë (KISH), uroi përmes një mesazhi të gjithë besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjes, për një botë me paqe dhe shpresë.
Presidenti i KISH, solli në vëmendje një prodhim të kinematografisë botërore “Joyeux Noël”, ku tregohet një histori nga Lufta e Parë Botërore, se si ushtarët e dy fronteve armike, për Krishtlindje bënë një armëpushim dhe festuan me njëri-tjetrin.
“Për ne të krishterët fëmija që lind, pra Jezusi, është Princi i paqes, ai që na jep paqen, por jo si e jep bota. Ai nuk na jep një armëpushim të përkohshëm, por një paqe që nuk mund të na e marrë askush, sepse është paqja e zemrës, është paqe që vjen nga lart dhe zë vend në shpirtin e atyre që e duan Hyjin. Natën e Krishtlindjes në të gjitha kishat tona do të jehojë fjala e Ungjillit dhe kënga e engjëjve: “Lavdi Hyjit në qiell e paqe mbi tokë njerëzve që ai i ka për zemër”, tha imzot Gjergj Meta në mesazhin e tij të Krishtlindjes.
Një urim për besimtarët katolikë ka ardhur edhe nga imzot Arjan Dodaj, arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës.
“Le të shkojmë në Betlehem dhe të shohim çfarë Zoti kumtoi për ne. Kjo është ftesa që na vjen nga Zoti në këtë Krishtlindje: të vihemi në ecje, në ecje si shtegtarë të shpresës në dyert e jubileut që shënon 2025 vite nga lindja e Krishtit.
Imzot Arjan Dodaj nënvizoi se ka ardhur koha të reflektojmë dhe të promovojmë vlerat për femijët dhe atdheun.