Banka e Shqipërisë bën të ditur se pas anëtarësimit të Shqipërisë në Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Pagesave (SEPA), bankat dhe institucionet e pagesave duhet të aplikojnë individualisht për t’u lidhur me sistemin e pagesave në euro.

Drejtoresha e departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës pranë Bankës së Shqipërisë, Ledia Bregu, në një intervistë për media shprehet se, në fillim të tetorit 2025 pritet të nisin veprimet në sistemin SEPA.

“Duke filluar nga muaj prill 2025 çdo ofrues shërbimesh mund të aplikoj pranë .. dhe data 5 tetor është data e parë operacionale e gatishmërisë. Këto janë dy periudhat që lidhen me rregullat e reja teknike. Institucionet banka që janë pjesë e një grupi ndërkombëtar, e kanë më të thjeshtë nga ana teknike dhe ligjore, por kjo nuk do të thotë që dhe bankat e tjera me kapital shqiptar dhe jo me kapital europian, të jenë teknikisht gati dhe shohim që ka një interes të madh për tu përgatitur dhe për tu bërë të parët në radhë dhe për të përfituar”, deklaroi Bregu.

Sipas saj, BSH mund të mbikëqyr nga afër grupin e punës, që do të ndjeki procesin e adaptimit operacionale për përmbushjen e të gjitha kritereve teknike, për tu siguruar që të arrihen afatet dhe për të realizuar pagesat e para.

Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit Evropian të Pagesave, ofruesit e shërbimeve të pagesave nga Shqipëria mund të anëtarësohen në SEPA duke filluar muaji prill 2025.

Në bazë të këtij njoftimi, data më e afërt për nisjen e veprimeve në sistemin SEPA nga bankat dhe institucionet e pagesave në Shqipëri do të jetë 5 tetori 2025.

Bankat duhet t’i nënshtrohen disa rregullave teknike përpara se jene operacionalisht gati për të kryer transaksione ne Zonën e Vetme të Pagesave në Euro. Rregulla të cilat përfshijnë sigurinë e transaksioneve dhe parandalimin e pastrimit të parave.

Shqipëria u pranua në SEPA në 21 nëntor 2024. Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në euro me vendet anëtare të skemës do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët, ndërsa kursimi për ekonominë llogaritet në rreth 20 milionë euro në vitin e parë.

Njëkohësisht, ulet koha e kryerjes së pagesave dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.