Në një njoftim për shtyp zyra e GIZ në Shqipëri bëri të ditur se, CCL Shkodra është një nismë e mbështetur nga projektet BE për Circular Economy and Livable Cities (EU4CELC) dhe BE për Innovation (EU4I), të bashkëfinancuara nga Bashkimi Evropian (BE), Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Ky program synon të fuqizojë individët dhe bizneset në Shkodër për të zhvilluar zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve, duke kontribuar në ndërtimin e një ekonomie qarkulluese dhe të gjelbër, duke vendosur standarde të reja për qëndrueshmërinë dhe inovacionin në qytetin e Shkodrës.
Circular City Labs Shkodra (CCL Shkodra) është një program akselerimi inovativ i krijuar për të adresuar sfidat urbane të menaxhimit të mbetjeve, duke nxitur zgjidhje të bazuara në ekonominë qarkulluese. Pas suksesit të Circular City Labs – Tiranë, ky program tani zgjerohet në Shkodër, me fokus në zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme kryesisht për mbetjet organike, mbetjet e paketimit dhe mbetjet tekstile. Synimi kryesor është krijimi i qyteteve më të gjelbra dhe më të jetueshme, përmes zgjidhjeve që reduktojnë, ripërdorin dhe riciklojnë këto lloje mbetjesh.