“Me nisjen e aktiviteteve pyllëzuese në të gjithë vendin, ka nisur edhe një angazhim masiv në të gjitha bashkitë, ku punës së Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe stafeve të bashkive i janë bashkuar studentë, të rinj vullnetarë e donatorë duke u bërë një mbështetje e jashtëzakonshme në realizimin e kalendarit të pyllëzimeve. Mirënjohëse për kontributin e gjithësecilit në Vitin Kombëtar të Pyjeve”, thotë Kumbaro në një postim në Facebook.
Ministrja Kumbaro edhe më herët ka theksuar se pas një pune shumë të madhe për promovimin e turizmit gjithëvjetor, mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi i qëndrueshëm marrin një përparësi të veçantë, në një kohë që ruajtja e biodiversitetit është më e rëndësishme se kurrë. Kumbaro është shprehur se qeveria shqiptare ka marrë vendime të guximshme, si rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura në mbi 21% të territorit.