Gazsjellësi TransAdriatik transporton gazin natyror të Azerbajxhanit nga kufiri grek me Turqinë në Italinë Jugore përmes Shqipërisë duke u mundësuar palëve të interesuara të tregtojnë gaz në disa vende evropiane.

TAP ofron një rrugë transporti dhe me kosto efektive si pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, një zinxhir vlere gazi prej 3 500 kilometrash që shtrihet nga deti Kaspik në Evropë.

”Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) e sheh veten si një kontribuues i rëndësishëm në objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe Marrëveshjes së Parisit, duke furnizuar potencialisht BE-në me burime energjie neutrale të karbonit, si hidrogjeni dhe biometani”, tha Luca Schieppati, drejtor menaxhues i TAP, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Trend.

“Ambicia e TAP-it është të zhvillojë asetin për të lejuar transportin e hidrogjenit dhe tani jemi në procesin e vlerësimit të shkallës në të cilën TAP mund të akomodojë teknikisht transportin e një përzierje gazi natyror dhe hidrogjeni. Ne kemi përcaktuar udhërrëfyesin për t’u përgatitur në afatmesëm dhe afatgjatë për të akomoduar përzierjet e gazit natyror me hidrogjen dhe gazra të tjerë të rinovueshëm”, tha ai.

Schieppati kujtoi se në vitin 2021, një studim fillestar mbi gatishmërinë e hidrogjenit verifikoi potencialin e TAP për të transportuar përzierjen e hidrogjenit në të ardhmen.

”Aktualisht jemi duke kryer teste për materialet e gazsjellësit në një laborator ndërkombëtar. Rezultatet për materialet e gazsjellësit në det do të merren në tremujorin e katërt të vitit 2024. Pas kësaj, TAP do të vlerësojë rezultatet dhe nevojën për kërkesat e mëtejshme të testimit për vitin 2025. Gjithashtu, TAP ka nisur një Analizë të Boshllëqeve për Instalimet mbi Tokë në vitin 2024, e cila do të vazhdojë në 2025. TAP po merr pjesë gjithashtu Projektin e Industrisë së Përbashkët ‘H2Pipe’ për zhvillimin e udhëzuesve të para në botë për transportin e hidrogjenit në tubacionet ekzistuese dhe të reja në det”, shtoi drejtori i menaxhimit, Schieppati