Ai mbetet një nga artistët më të rëndësishëm dhe të kompletuar që vendi ynë ka patur ndonjëherë, pasi përveçse si piktor, Idromeno njihet si skulptor, arkitekt, inxhinier, fotograf, muzikant e shumë të tjera.
Kritikë të ndryshëm të artit shkojnë deri atje sa e cilësojnë kryeveprën “Motra Tone” si “Xhokonda shqiptare”, ndërsa Kolë Idromenon me universalizmin e tij në fushë të arteve e cilësojnë si “Da Vinçi shqiptar”. Disa nga pikturat më të famshme të Idromenos janë: “Autoportret”, “Portreti i së shoqes”, “Portret i Mati Kodhelit”, “Motra Tone”, “Dy rrugët” dhe “Dasma shkodrane”.
Ai lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër. Mban titullin “Piktor i Popullit”. Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, 1919. Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekujve XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone”, që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.
Thuhet se familja e tij ishte nga më të njohurat e Pargës në Çamëri. I ati, Arsen Idromeno, kishte ardhur në Shkodër nga ishulli Hidro i banuar nga arbëreshët e Greqisë. Kola filloi të pikturonte që kur ishte fëmijë; mësime për vizatim i mori duke qëndruar pranë fotografit të njohur të qytetit, Pietro Marubi, i cili e ndihmoi Kolën për të ndjekur studime për pikturë në Venecia. Por, i pa mësuar me disiplinën në shkollë, pas 6 muajsh, Kola braktis mësimet dhe fillon të punojë pranë piktorëve dhe artistëve vendas. Pasi u kthye në Shkodër, më 1871, ai realizon pikturat e para; një prej të cilave “12 luftëtarët e Pargës në lundër” në përkujtim të largimit të paraardhësve nga Parga drejt Himarës.
Nga fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20, pikturat e Idromenos u shfaqën në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare si në Budapest, Romë, Bari, Nju Jork etj. Fusha të tjera ku Idromeno spikat janë skulptura dhe arkitektura, me rreth 60 ndërtime private e publike në Shkodër të projektuara prej tij.