20 milionë euro do të kursejnë bizneset dhe konsumatorët vetëm në vitin e parë nga përdorimi i skemave SEPA, ndërsa mundësohen pagesa ndërkufitare në euro, me të njëjtat kosto me pagesat brenda vendit.

Ledia Bregu, drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se “nga  anëtarësimi i Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), pritet të krijohen lehtësi për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë duke i bërë transaksionet ndërkufitare brenda tregut evropian më të thjeshta, më të shpejta dhe me kosto më të ulëta”.

Sipas saj, me pjesëmarrjen në SEPA mundësohet zbatimi i parimit të tarifave të barabarta si për pagesat kombëtare, ashtu edhe ato ndërkufitare të përpunuara në mënyrë elektronike në euro.

Gjithashtu theksoi ajo, anëtarësimi në SEPA ka një ndikim të rëndësishëm në dërgimin e   remitancave të familjarëve.

“Duke marrë parasysh flukset e emigrantëve vitet e fundit, si dhe diasporën e hershme në vendet e Bashkimit Evropian, krijimi i një faciliteti të tillë do të nxisë dërgimin më të lehtë të këtyre flukseve dhe mirëqenien e familjeve pritëse”, u shpreh Bregu.

Ajo vuri në dukje se, lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me Bashkimin Evropian nxit zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, duke ndikuar në rritjen e aktivitetit të bizneseve shqiptare, rritjen e punësimit dhe të të ardhurave.

“Pjesëmarrja në SEPA nxit ngritjen e një sistemi pagesash eficient dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria. Përdorimi i pagesave SEPA pritet të sjellë ndryshime pozitive edhe në sjelljen e bizneseve dhe të  individëve sa i përket mënyrave  për kryerjen e pagesave elektronike (cashless)”.

Nga ana tjetër, bëri të ditur Bregu për ATSH-në, thjeshtësia dhe komoditeti i kryerjes së   pagesave elektronike nëpërmjet skemave SEPA do të shërbejë si një  instrument edukues për dixhitalizimin e pagesave.

“Anëtarësimi në SEPA mbështet zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës dhe garanton trajtimin e shtetasve shqiptarë në mënyrë të njëjtë me ata Evropian, në terma   të transparencës së kushteve të punës dhe mbrojtjes së konsumatorit për transfertat ndërkufitare”, deklaroi Bregu, drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë.