Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po dërgon ekspertë në Republikën Demokratike të Kongos për të mbështetur autoritetet lokale shëndetësore në hetimin e shpërthimit të një sëmundjeje të re vdekjeprurëse.
”Ekipi përbëhet nga epidemiologë, klinicistë, teknikë laboratori dhe ekspertë në parandalimin dhe kontrollin e infeksionit”, njoftoi Zyra Rajonale e OBSH-së për Afrikën.
Fundjavën e kaluar, autoritetet shëndetësore u alarmuan për raste të një sëmundjeje misterioze të ngjashme me gripin në jugperëndim të vendit të Afrikës Qendrore.
Sipas OBSH-së, sot u raportuan 394 raste dhe 30 vdekje deri më tani në komunitetin rural Panzi, i vendosur më shumë se 700 kilometra nga kryeqyteti Kinshasa.
Megjithatë, raporte të tjera kanë thënë se ka pasur deri në 130 vdekje, përfshirë ato që kanë ndodhur jashtë objekteve shëndetësore.
Më herët, ministri i Shëndetësisë Roger Kamba foli për vdekje të tjera të raportuara në vendlindjen e tij.
Simptomat e sëmundjes përfshijnë dhimbje koke, kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje dhe anemi. Deri në marrjen e rezultateve të testeve laboratorike, shkaku është i paqartë.
Një ekip fillestar lokal i OBSH-së ka mbështetur autoritetet shëndetësore në provincën e prekur Kwango që nga fundi i nëntorit në monitorimin e sëmundjes dhe identifikimin e rasteve