Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu falënderoi sot ekipet shëndetësore si dhe Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Mbrojtjes për shpëtimin e tre turistëve çekë të mbetur në vendin e quajtur Curraj i Epërm, Tropojë. “Një tjetër mision shpëtimi në bjeshkët e thepisura shqiptare të turistëve çekë, falë sakrificës dhe punës së palodhur të ekipit të Qendrës Kombëtare Mjekësore, stafeve tona në terren të qendrës shëndetësore Lekbibaj dhe bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Mbrojtjes”, theksoi ministrja Manastirliu në një postim në rrjetet sociale, teksa shpërndau edhe videon e shpëtimit të turistëve çekë. Tre turistë çekë mbetën të bllokuar në vendin e quajtur Curraj i Epërm. Ata u shpëtuan pas dy operacioneve të kryera nga ekuipazhi i helikopterit të Forcës Ajrore EC 135. Tre turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.