Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura njoftoi se vijon procesi i punës dhe i bashkëpunimeve, në kuadër të misionit të ndërmarrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për të konceptuar dhe aplikuar një paketë sa më të plotë dhe cilësore të menaxhimit të qëndrueshëm të Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa”.

AKZM mirëpriti në një takim mjaft të frytshëm, misionin e vlerësimit nga GIZ Albania, për të diskutuar mbi mundësitë e përfshirjes në projektin më të ri kushtuar Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, të ndërmarrë nga GIZ Albania, “Green Vjosa”.

Në mars të vitit 2023, qeveria shqiptare e shpalli lumin Vjosa, Park Kombëtar i Kategorisë II, sipas përkufizimit të IUCN. Ai është Parku i parë Kombëtar i një lumi të egër në Evropë. Parku përfshin degë të Vjosës që nuk kanë diga, apo nuk janë ndryshuar nga njerëzit në ndonjë mënyrë tjetër.

Vjosa është një Park Kombëtar unik për Shqipërinë po edhe për Europën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.

Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar nënkupton se nuk do të lejohet asnjë ndërtim që cenon lumin, përfshirë këtu edhe hidrocentralet.