Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që ata thonë se e përjetojnë çdo ditë në Serbe, duke mbajtur disa protesta në muajt e fundit.

Pisonero tha se BE-ja e ka bërë të qartë se ka nevojë që autoritetet e Serbisë të sqarojnë për publikun se si janë kryer kontrollet e vendbanimeve që kanë rezultuar me pasivizimin e adresave dhe nëse jugu i Serbisë është vënë në shënjestër veçanërisht.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, në pjesën ku flitet për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, është përmendur edhe çështja e pasivizimit të adresave të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Pjesëtarë të komunitetit pakicë shqiptar kanë ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si policia ka bërë kontrolle të statusit të banorëve në jug të Serbisë, që ka rezultuar me pasivizimin e disa adresave. Ekziston nevoja që autoritetet e Serbisë të sqarojnë më mirë publikut se si janë kryer këto kontrolle. Zbatimi i planit të veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione duhet të avancohet dhe të sjellë përmirësime të prekshme”, sipas raportit.

Në BE nuk janë përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse kjo çështjen mund të jetë pjesë e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por kanë thënë disa herë se ajo është pjesë e detyrimeve të Serbisë në procesin e integrimeve në BE, prandaj reflektohet edhe në raportet vjetore të progresit.