Në qendër të diskutimit ishte përdorimi i rrjeteve sociale nga të miturit, ku nxënësit e shkollave 9-vjeçare ndanë përvojat dhe mendimet e tyre mbi këtë fenomen.
Ata e vlerësojnë si të domosdoshëm përdorimin e telefonave celularë dhe aplikacioneve si WhatsApp, Snapchat dhe Tik Tok, të cilat zënë pjesën më të madhe të kohës së tyre online.
Pedagogia Julinda Cilingiri tha se “nxënësit jo vetëm që janë përdorues të rregullt të këtyre platformave, por shpesh përballen me sjellje problematike, përfshirë dhunën që mund të shfaqet në këto hapësira virtuale”.
Cilingiri theksoi nevojën për ndërgjegjësim dhe masa parandaluese për të reduktuar këto rreziqe.
Ndërsa aktivisti Vladimir Thano nënvizoi rëndësinë e komunikimit të hapur dhe të ndërgjegjësimit për të menaxhuar pasojat negative që vijnë nga përdorimi i rrjeteve sociale.
Thano u shpreh se “këto përballje dhe diskutime midis nxënësve si një hap drejt zgjidhjes dhe rregullimit të efekteve të dëmshme”.
Nxënësit në këtë diskutim shprehën idetë dhe opinionet e tyre përmes argumenteve kritikë rreth një fenomeni kaq të përhapur në realitetin e tyre, rrjetet sociale dhe ndikimin që kanë në zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve.
Ky aktivitet u organizua nga Qendra për Zhvillimin Komunitar “Sot për të Ardhmen”, me mentorët Julinda Cilingiri dhe Bora Bahiti, zbatuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me bashkinë Durrës dhe Drejtorinë Rajonale Arsimore, Durrës, në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve.