Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot se buxheti 2025 siguron gjithashtu zbatimin e reformave të iniciuara, me qëllimin përfundimtar që investimet në mbrojtje të përkthehen në trajtim dinjitoz të personelit ushtarak.

Po ashtu, Vengu theksoi se synohet rritja e gatishmërisë operacionale e forcave tona, si dhe përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mirë administrimi i aseteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.

Vengu theksoi se buxheti 2025 garanton kapacitete të qëndrueshme për menaxhimin e emergjencave civile si dhe investime për një industri ushtarake dinamike.

Konkretisht 54.8% e buxhetit të vitit 2025 shkon për modernizimin dhe rritjen e gatishmërisë operacionale. Kështu sigurohet vijimësia e projekteve të modernizimit dhe fillimi i 8 projekteve të reja.

Po ashtu, rriten kapacitetet e strukturës më të madhe të FA-së, Forcave Tokësore, me armatim modern, municione, makineri e pajisje.

Për sa i përket Forcave Ajrore parashikohet blerje e avionëve me përdorim të dyfishtë civilo-ushtarak, si dhe kompletim me kapacitete të objekteve fluturuese pa pilot.

Parashikohet investim i mëtejshëm në bazën e NATO-s në Kuçovë, si dhe kompletim, mirëmbajtje dhe stërvitje me palën amerikane për helikopterët Black Hawk.

Ndërsa për Forcën Detare parashikohet investim në anije për operacionet detare, përmirësim teknologjik i sistemit të radarëve, si dhe blerje e sistemeve nënujore autonome.