Turizmi kulturor
Përveç turizmit të detit dhe rërës Durrësi ka edhe një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme pasi qyteti ynë është i pasur me histori, arkitekturë dhe site arkeologjike si: Amfiteatri romak, Muret Rrethuese të Kalasë së qytetit, Shesh Tregu Bizantin, Kulla Veneciane, Termet antike Romake, Bazilika e Arapaj, Fortifikimi i Skënderbeut në Kepin e Rodonit, Kalaja e Ishmit etj.
“Vetëm gjatë 9 mujorit të vitit 2024, numri i vizitorëve vetëm në Amfiteatër dhe tek Torra Veneciane është 26,444 vizitorë, nga ku shënohet një rritje prej 14 % në krahasim me të njëjtën periudhë për vitin 2023, ku numërohen 23,192 vizitorë”, tha Smajli.
Në kuadër të promovimit të potenciale turistike të qytetit, janë ndërmarrë dhe po ndërmerren një sërë fushatash apo aktivitetesh promocionale me fokus trashëgiminë kulturore, atraksionet/destinacionet turistike, restorantet, subjektet e agroturizmit, shtigjet natyrore për ecje etj.
“Kjo fushatë promovuese e potencialeve të qytetit të Durrësit, shërben si një promotor i mbrojtjes dhe ruajtjes së burimeve dhe vlerave të pazëvendësueshme kulturore, turistike dhe natyrore të qytetit”, theksoi Smajli.
Smajli u shpreh se “këtë sezon kemi një kalendar mjaft të pasur artistik me aktivitete teatrore, operistike, kulturore e artistike, kombëtare e ndërkombëtare. Po kështu pas nisjes së disa projekteve të rëndësishme si ai i stadiumit të ri, akademisë sportive Manchester City, akademisë tjetër elitare të Rafael Nadal, Durrësi ishte edhe një destinacion i xhiros së Italisë në varka me vela, një lajm shumë i mirë jo vetëm sportiv. Po kështu qyteti ynë mirëpret shumë aktivitete të tjera sportive ndërkombëtare”.