Kryeministri tërhoqi një paralele me punën e tij të mëparshme në luftën kundër terrorizmit, ndërsa fliste në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Glasgou.

Ai gjithashtu mbrojti bashkëpunimin ndërkombëtar për të trajtuar kontrabandën e njerëzve dhe tha se do të përpiqet të rifitojë aksesin në rrjetet e shkëmbimit të informacioneve sekrete në kohë reale të BE-së.

Ndërkohë, sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper nuk do të angazhohej për objektiva specifike ose një kornizë kohore për uljen e kalimeve me varka të vogla, por tha se ”qeveria do të përpiqet të bëjë përparim sa më shpejt të jetë e mundur”.

Premtimi prej 75 milionë paund për komandën kufitare dyfishon fondin total në 150 milionë gjatë dy viteve të ardhshme.

Paratë do të përdoren për të financuar pajisjet e mbikëqyrjes së teknologjisë së lartë dhe 100 hetues specialistë të cilët do të synojnë kriminelët e përfshirë në kontrabandën e njerëzve.

Kryeministri tha në mbledhjen e Interpolit se ”kontrabanda e njerëzve duhet të shihet si një kërcënim i sigurisë globale i ngjashëm me terrorizmin. Ne duhet të kombinojmë burimet, të ndajmë taktikat dhe të trajtojmë problemin duke punuar së bashku për të mbyllur rrugët e kontrabandës”.

Qeveria synon të nxjerrë ligje për t’u dhënë forcave të sigurisë kufitare kompetenca “të zgjeruara” që pritet të përfshijnë zgjerimin e taktikave kundër terrorizmit për t’u marrë me kontrabandën e njerëzve.

Starmer tha se ishte “misioni i tij personal”, në një detyrë të mëparshme si drejtor i prokurorisë publike, “të shkatërrojë bandat terroriste” dhe se si kryeministër “është misioni im personal të shkatërroj bandat e kontrabandës së njerëzve”