Sipas Qendrës Muzeore Berat, vizitorët kanë arritur tre rekorde historike këtë vit, dhe shifra më e lartë ka kulmuar në muajin shtator prej 21,252 vizitorësh.

“Vazhdon rritja e qëndrueshme e vizitorëve vendas e të huaj në Muzeun Kombëtar të Ikonografisë “Onufri me plot 90355 turistë nga fillimi i këtij viti.

Në harkun e një viti janë 3️ rekorde historike në numra vizitorësh brenda një muaji, që kulmuan këtë shtator me 21252 vizitorë!”- bën me dije Qendra Muzeore Berat.

Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI.

Katedralja përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit.