Shkodër, aktivitete për të rinjtë mbi rreziqet e trafikimit

0
2

Prefektura e Qarkut Shkodër çdo vit organizon aktivitete me nxënësit e shkollave në kuadër të nismës së rëndësishme kundër trafikimit, duke e shndërruar këtë çështje në një angazhim gjithëpërfshirës.

Prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni Jubani, ndau në rrjetet sociale një album fotografish nga ky aktivitet ndërgjegjësues, në kuadër të “Muajit të antitrafikimit”, i cili u organizua edhe me mbështetjen e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Shkodër.

“Përmes kreativitetit, të rinjtë janë forca më e madhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi rrezikun e trafikimit. Ky edukim nuk duhet të kufizohet vetëm në klasa, por të përhapet në çdo aspekt të jetës sonë, nga familjet dhe komunitetet deri tek institucionet që na mbështesin”, shkruan prefektja e Shkodrës në rrjetet sociale.

Kjo fushatë është një përpjekje e përbashkët për t’u dhënë të rinjve njohuritë e nevojshme për t’u mbrojtur nga trafikimi, duke ndërtuar vlerat e një qytetarie të përgjegjshme dhe të solidaritetit. Më shumë se nxënës të suksesshëm, synimi është frymëzimi për të krijuar qytetarë model, që kuptojnë fuqinë e ndihmës dhe mbështetjes për ata që kanë më shumë nevojë.

Majlinda Angoni Jubani ka dhënë mesazhin se, së bashku mund t’u japim zë atyre që e kanë humbur dhe të krijojmë një shoqëri ku trafikimi nuk ka vend.