Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “paketa e dytë që ka përfituar bashkia nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe qeveria shqiptare për transformimin e pamjes së qytetit në hyrje të Shkodrës, shtrihet nga “Xhabija” përgjatë bulevardit “Mehmet Pashë Plaku” deri në lagjen “Perash” dhe në zonën e “Rusit””.
Beci bëri të ditur se “përveç pallateve, në këtë fazë të dytë do të përfshihen edhe fasadat e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Spitalit Rajonal Shkodër”.
Në fazën e parë të restaurimit të fasadave u krye projekti i ndërhyrjes rigjeneruese në blloqet e banimit në rajonet 1 dhe 2.
Ky projekt ka si qëllim rigjenerimin e fasadave duke përdorur sistemin kapot (termoizolim), për rritjen e eficiencës energjetike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së objekteve për një periudhë më afatgjatë.
Bashkia e Shkodrës po kryen një sërë investimesh si rikonstruksioni i rrugëve në lagjet e qytetit, rikonstruksioni i fasadave të pallateve dhe ndriçimi LED i rrugëve.