Në Vlorë janë drejt përfundimit punimet për rehabilitimin tërësor të dy godinave për të sëmurët kronikë në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga godina e re e spitalit, ku po kryhen punimet e fundit.

“Investimi siguron kushte bashkëkohore për pacientët dhe dyfishim të ambienteve për stafin psiko-social e mjekësor”, tha Koçiu.

MSHMS po rikonstrukton dy godinat e Spitalit Psikatrik të Vlorës, atë të sëmurëve kronikë burra dhe të sëmurëve kronikë gra.

Godina e re dykatëshe për pacientet-gra shënon një tjetër hap për fuqizimin e kapaciteteve të specializuara të shëndetit mendor, si dhe për të shtuar gamën e shërbimeve shëndetësore.

Fokusi i punës së MSHMS-së është parandalimi, diagnostikimi, trajtimi dhe ofrimi i shërbimeve të shëndetit mendor nëpërmjet përmirësimit të programeve mbështetëse socio-shëndetësore edhe pranë Kujdesit Shëndetësor Parësor.