Në fushën e mbrojtjes sociale, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale synon zbatimin me sukses të reformës së programit të përkujdesit social në tre shtyllat kryesore të tij: ndihma ekonomike, aftësia e kufizuar dhe shërbimet sociale.
Sipas relacionit të p/buxhetit të vitit 2025, publikuar nga Ministria e Financave, numri i familjeve dhe individëve në nevojë që pritet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht 62 000 përfitues. Numri i përfituesve nga PAK dhe kujdestarëve të tyre parashikohet të shkojë në 164 mijë përfitues në vitin 2025.
Mbështetja e personave nga grupet e pafavorizuara përmes punësimit në ndërmarrjet sociale synohet të punësohen mesatarisht 148 persona çdo vit nga 60 persona që parashikohen për vitin 2024, me qëllim integrimin në tregun e punës të kategorive të ndryshme të grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike;
Po ashtu, parashikohet mbështetja e fondit social për njësitë e vetëqeverisjes vendore për ofrimin e shërbimeve të reja sociale territoriale për grupet në nevojë dhe mbështetjen e familjeve me ndihmë ekonomike me paketa sociale shëndetësore, ashtu sikurse financimin e politikës për mbrojtjen e veçantë nga shteti, për gratë e papuna, me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç.
Njëkohësisht, mbështetjen e grave të dhunuara që përfitojnë nga skema e Ndihmës Ekonomike kundrejt totalit të kategorive të veçanta.
Në vitin që vjen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale parashikon të vijojë financimin për rikonstruksion e Maternitetit nr.1 Tiranë, atyre në Shkodër dhe Fier, Spitalin Psikiatrik Elbasan, si dhe rehabilitimin e 100 objekteve të tjera të Qendrave Shëndetësore dhe ambulanca.