Në autostradën Tiranë-Durrës ka nisur puna për zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra korsi do të shërbejë për emergjencat, duke e bërë autostradën në përfundim të punimeve me nga katër korsi në secilin drejtim.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se pas spostimit të gjelbërimit kanë filluar punimet për gërmimin e trupit të rrugës dhe mbushjen e saj me material.
Po ashtu, paralelisht vazhdon puna për sistemimin e kanalit anësor dhe pilotimin e trupit të rrugës në zonën e quajtur “Qafa e Kasharit”.
Puna për zgjerimin e autostradës ka nisur në 2 lotet e para, kthesa Kamzë-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilat janë shpallur edhe fituesit. Projekti pritet të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme. Gjatë kësaj periudhe, nuk është parashikuar bllokimi i autostradës, por do të ketë kufizime të shpejtësisë së lëvizjes, me qëllim ruajtjen e sigurisë së ndërtimit dhe të udhëtarëve.
Aktualisht, shpejtësia e lejuar në këtë segment është deri në 90 kilometra për orë, një kufizim që do të rritet në 130 kilometra për orë pas përfundimit të zgjerimit.
Pjesë e këtij projekti ishte edhe zhvendosja e bimëve ekzistuese nga autostrada drejt Parkut të Liqenit Artificial, duke siguruar kështu jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por dhe ruajtjen e gjelbërimit urban.