Nga fushë pjellore në lagje turistike të Shkodrës, detaje nga historia e Gjuhadolit

0
1

 Gjuhadoli ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës një ndër lagjet më të gjalla të qytetit, ku shumica e banesave private tashmë janë kthyer në biznese si, hotele, bare, dyqane, për t’i shërbyer turizmit dhe jetës së natës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër solli në rrjetet sociale detaje se si lindi kjo lagje karakteristike.

Sipas studiuesit Willy Kamsi, mikrotoponimi vjen prej Gluho dol ─ përrua i shurdhët, mbetje kjo me prejardhje sllave. Emri del për herë të parë në dokumentet e shkruara në vitin 1371 në disa trajta si Gluchidol, më 1446 Glucodol, Cluchidol.

Sipas të dhënave historike të Gjush Sheldisë, kjo zonë përmendet si një fushë pjellore. Më 1610 Regesti i Venedikut shkruan se kur kërkohej për t’u dhënë meshë në Rrëmaj, përshkohej fusha pjellore e Gjuhadolit (“Passava per la fertile compagna di Glucadoli”).

Me kalimin e viteve, duket se nga fushë pjellore, Gjuhadoli kthehet në një lagje të qytetit të Shkodrës duke u ndërtuar shtëpitë e para në fillim të shek.XIX

Sipas Sheldisë mësojmë se, në mesin e shek. XIX Gjuhadoli merr formën e një lagjeje, madje duke u shënuar ndër të rejat e qytetit, përveç atyre që ndodheshin rreth kalasë. Me zhvendosjen e qytetit në këtë periudhë, më në fushë, aty ku ndodhet dhe sot, Gjuhadoli pak nga pak pas viteve `20 u kthye në lagje të rëndësishme, ku dyqanet e saj konkurronin me pazarin e qytetit.