TKOB përmes një postimi në rrjetet sociale premton që edhe version i plotë i “Toskës” do të jetë një surprizë për publikun e kryeqytetit, pasi është punuar për ta sjellë këtë opera, siç nuk e kemi parë asnjëherë më parë.
Vepra, nga më të famshmet e kompozitorit Giacomo Puccini përveç Orkestrës Simfonike, solistëve e Korit të TKOB-së, do të përfshijë edhe Korin e Zërave të Bardhë, siç njihet ndryshe kori i fëmijëve.
Ndër solistët rezultojnë emra të njohur ndërkombëtarisht si Saimir Pirgu e Krassimira Stoyanova, Amadi Lagha i cili rikthehet në TKOB, baritone Carlos Almaguer që do të drejtohen nga regjisorja italiane Manu Lalli, e cila ka vënë në skenën e TKOB edhe operën “Madama Butterfly”. “Tosca” do të vijë me dy kaste mjeshtërore artistësh mes tyre dhe Eva Golemi, Bledar Domi, Artur Vera, Matias Xheli, Erlind Zeraliu, Genc Vozga, Erion Sheri, Rovena Xhelili etj.
Ndërsa për artdashësit e vegjël po përgatitet një përshtatje për ta sjellë në një version të lehtë dhe argëtues për të gjithë. TKOB fton të gjithë familjen, duke thënë se kjo është mënyra perfekte për të prezantuar fëmijët me botën e operës.