Kudo në Berat, rrugët kryesore të qytetit, qendra historike dhe atraksionet turistike, periferia apo rrethinat, janë të mbushura plot me turistë në këto ditë vjeshte.

Për kryetarin e bashkisë së Beratit, Ervin Demo tashmë është fakt dhe është gjëja më interesante që qyteti i një mbi një dritareve e ka të gjithë vitin sezon turistik.

Në një intervistë për ATSH-në, kryebashkiaku Demo theksoi se Berati nuk ka më atë sezonin tipik që arrinte kulmin kryesisht në muajt e verës, pasi është i vizitueshëm në çdo kohë. “Kemi pasur një sezon atipik që ka nisur që me fillimin e vitit, në janar dhe vijon ende. Një turizëm që ne e quajmë gjithëvjetor”, u shpreh ai.

Ne, tha Demo, nuk i ndajmë turistët nga ata me pasaportë shqiptare apo ata me pasaportë të huaj.

“Është gjithashtu lajm i mirë që Berati është destinacion fundjave për shqiptarët. Çdokush që viziton Beratin është i mikpritur dhe merr shërbimin maksimal, kjo reflektohet në impaktin pozitiv të përgjithshëm. Për të folur me shifra pastaj, 800 mijë vizitorë ka pasur deri në muajin shtator. Nga këta, rreth 85% e vizitorëve janë të huaj”, theksoi Demo.

Gjatë këtij viti, risi në Berat ka qenë zgjerimi i vendeve nga vijnë turistët.

“Nëse më parë ishin zakonisht rreth e rrotull nesh, tani që flasim turistët vijnë nga shumë vende të BE-së si Spanja, Franca, Gjermania, Austria, Italia që qëndron në krye të listës, por kemi vizitorë edhe nga Azia, Australia, SHBA, Kanada etj. Këto janë shifra të matura. Tashmë në hyrje të kalasë së Beratit kemi instaluar kamera digjitale. Janë instaluar gjithashtu për çështje sigurie, por që kryejnë edhe këtë funksion, të matjes së vizitorëve”, tha Demo.