Ndërsa fqinji i madh grek nuk ka më asgjë për të dëshmuar në aspektin turistik, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë pikë në zemrat e udhëtarëve. Dhe me të drejtë, shkruan Pauline Duvieu në një artikull të botuar në revistën franceze “Luxus Magazine”

Midis vendeve të tij arkeologjike, plazheve të tij qiellore dhe vargmaleve të egra malore, vendi ballkanik vazhdon të tërheqë adhuruesit e peizazheve piktoreske.

Së fundmi në rrjetet sociale, videot dhe fotot e kanë portretizuar Shqipërinë si një vend idilik për pushime nën diell.

Një lëvizje e shkëlqyer promovimi për rajonin, që ndodhet pranë Greqisë, i cili po pret gjithnjë e më shumë turistë.

“Në vitin 2022, Shqipëria regjistroi 7,5 milionë turistë ndërkombëtarë”, sipas Organizatës Botërore të Turizmit.

Një vit më pas, jo më pak se 10 milionë vizitorë shkelën në tokën shqiptare.

Dhe rritja pritet të vazhdojë këtë vit. Nga janari në shtator, janë regjistruar 9,7 milionë vizitorë të huaj, pothuajse niveli vjetor i vitit 2023.