Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër votimi, bëri të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
KQZ do të caktojë qendrat e votimit me kusht dhe listën e tyre do ta publikojë në faqen zyrtare të këtij institucioni, tha zëdhënësi Valmir Elezi, përmes një video-adresimi.
Ndryshimet për votimin me kusht ishin bërë me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të miratuar në vitin 2023.
“Ky lloj votimi [me kusht] është i mundur sërish, por nuk do të lejohet në çdo Qendër Votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, KQZ do të caktojë Qendrat për Votim me Kusht. Lista e tyre do të publikohet në ueb faqen e KQZ-së dhe mjetet tjera të informimit”, tha Elezi.
Data për mbajtjen e zgjedhjeve është caktuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimeve me partitë politike dhe KQZ-në.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të jenë të parat zgjedhje të rregullta parlamentare në Kosovë, që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.