Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se në fokus të këtij programi ishte promovimi i sipërmarrjes dhe mendimit inovativ si aftësi kyçe për nxënësit e shkollave profesionale.
Po ashtu synohet krijimi i bashkëpunimeve të reja mes shkollave profesionale, universiteteve dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe përmirësimi i metodave të mësimdhënies për edukatorët në sistemin e shkollave profesionale.
“Me mbi 2000 studentë të përfshirë, 200 mësues të trajnuar dhe ekipe start-up të mbështetura, INNOVET ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Gonxhja informoi se shumë shpejt nis INNOVET 2.0, ku në fokus do të jenë sipërmarrja dhe inovacioni si fusha kyçe mësimore në shkollat publike profesionale.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes EU4Innovation dhe qeverisë Gjermane nëpërmjet GIZ Albania/ProSEED 2.0, INNOVET po udhëheq një epokë të re të bashkëpunimit.
Në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, INNOVET promovon sipërmarrjen dhe mendimin inovativ në shkollat profesionale në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Korçë.