Masakrat e pushtuesve ndaj shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore

0
1

 Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ushtarake organizoi një bisedë me temë: “Masakrat e pushtuesve ndaj shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore”. Biseda u zhvillua në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit.

Gjatë këtij aktiviteti përkujtimor, një grup studiuesish të njohur ndanë njohuritë e tyre mbi ngjarjet tragjike që shënuan historinë e Shqipërisë. Dr. Elidiana Canaj referoi mbi masakrën e Borovës (6 korrik 1943) dhe atë të Korçës (9 shtator 1943), Pelivan Hysi mbi masakrën e Rabies, Tepelenë (24 korrik 1943), Ilmi Qazimi mbi masakrat në Vlushë të Skraparit (11-12 maj 1944) dhe Çezmës së Thatë në Berat (26 maj 1944).

Nga Muzeu Historik Kombëtar foli specialisti Ledio Xhoxhi në lidhje me temën: “Masakra e Borovës sipas dokumentit arkivor të vitit 1944”.  Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj foli mbi masakrat në Vlorë, Smokthinë dhe Vranisht, ndërsa Sali Onuzi për masakrën e Kukësit (shtator 1944) dhe kampin e përqendrimit të Prishtinës (gusht 1944).

Muzeu Historik Kombëtar shkroi në faqen e tij online se ky aktivitet ishte një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi historinë, për të kujtuar viktimat e këtyre ngjarjeve të dhimbshme dhe për ruajtjen e kujtesës kolektive. Aktiviteti u zhvilluar tek Bilblioteka “Musine Kokalari”, Tiranë.