Instituti i Vjenës, (WIIW) parashikon që rritja ekonomike në Shqipëri të jetë në nivelin 4% në 2024-n, ndërsa për vitin që vjen parashikimet janë që të ketë një rritje prej 3.8%.
Në raportin e vjeshtës, publikuar sot, WIIW thotë se megjithatë kërkohet vigjilencë, pasi kërkesa për kredi për pasuri të paluajtshme po rritet me shpejtësi.
“Rritja ekonomike parashikohet të arrijë në 4% në 2024. Inflacioni mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Megjithatë, kërkohet vigjilencë, pasi kërkesa për kredi për pasuri të paluajtshme po rritet me shpejtësi”, thuhet në raport.
Sipas Institutit të Vjenës, mbiçmimi i monedhës ka dëmtuar eksportin e mallrave.
Ndërkohë, sipas raportit rritja e turizmit po vazhdon, por kjo nuk do të pengojë zgjerimin e mëtejshëm të deficitit të llogarisë korente.
Njëkohësisht në raport theksohet se flukset hyrëse të IHD-ve do të mbeten të gjalla, ku sektori i energjisë dhe prodhimi do të përfitojnë më shumë.