AIDSSH: 33 kërkesa të reja nga familjarët për personat e zhdukur në diktaturë

0
2

Kështu, sipas AIDSSH-së, janë regjistruar 33 kërkesa të reja nga familjarët, duke e çuar numrin total në 314. 9 prej tyre janë bërë nga gra, duke treguar se familjarët e personave të zhdukur po e shohin bashkëpunimin me autoritetet si një mundësi të rëndësishme.

Po ashtu, janë kryer 3 verifikime administrative  për identifikimin e eshtrave të personave të ekzekutuar, përfshirë ata të “Grupit të sabotatorëve në naftë dhe ekonomi”.

Drafti i VKM-së është përcjellë më 12 qershor 2024 për mendim dhe miratim në Ministrinë e Drejtësisë dhe aktualisht ndodhet në Ministrinë e Brendshme për kompetencë, duke hapur rrugën për procesin e kërkimit.

AIDSSH ka kryer edhe monitorimin e vendvarrimeve të identifikuara dhe të dyshuara për të siguruar ruajtjen e tyre, për të parandaluar ndërhyrjet dhe ndryshimet në to, ndërsa janë mbledhur 12 dëshmi të reja janë mbledhur nga familjarët e të zhdukurve, që ndihmojnë në dokumentimin e historive të tyre.

Po ashtu, është firmosur një protokoll me International Commission on Missing Persons – ICMP për krijimin e një databaze më të sigurt dhe përmirësimin e procesit të kërkimit.

Gjatë kësaj periudhe AIDSSH ka organizuar edhe dy aktivitete të rëndësishme në kuadër të punës së saj sië ishte ekspozita dokumentare për të vrarët në kufi (8 maj 2024) dhe simpoziumi për të vrarët në kufi në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve (28 gusht 2024).

Po ashtu, AIDSSH është duke punuar për një memorial të përgjithshëm në Tiranë dhe memorialin “Shtegu i Lirisë” në Rehovë, për të nderuar viktimat dhe për të shprehur dhimbjen dhe respektin shoqëror për ta.

Ndërkaq, AIDSSH i bën thirrje grupeve të interesit dhe institucioneve të zbatimit të ligjit të vazhdojnë ta mbështesin në këtë proces të rëndësishëm për familjet shqiptare. Ndërsa familjarëve që janë në kërkim, iu lutet të vijojnë aplikimin për personat e zhdukur.