Sistemi AIPS ka sjellë një revolucion në sistemin bankar, duke mundësuar transferimet kombëtare në euro midis bankave pa tarifa shtesë nga bankat mëmë.
Kjo ka sjellë lehtësim në kryerjen e transaksioneve bankare për qytetarët dhe bizneset. Më parë, këto transferta ishin të ndërlikuara pasi realizoheshin vetëm përmes llogarive që bankat në vend mbanin në banka korrespondente jashtë vendit.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, gjatë muajit shtator 2024, është rritur në 27 mijë numri i transaksione përmes sistemit AIPS, me një vlerë totale prej 419 milionë euro.
Krahasuar me një muaj më parë, ky tregues është rritur me 3.8%. Ndërkohë numri total i transaksioneve për periudhën janar- shtator 2024, shënoi 234 mijë.
Sistemi ndërbankar i pagesave me vlerë të madhe AIPS, ka reduktuar me disa miliona euro, kostot e tarifave të transfertave për qytetarët dhe bizneset. Gjatë vitit 2023, sistemi i pagesave AIPS euro u ka kursyer bizneseve dhe individëve mbi 37 milionë euro.
Gjithashtu, sistemi AIPS ka ndikuar në reduktimin e kohës së nevojshme për shlyerjen e një transaksioni në euro brenda vendit, si dhe ka kontribuar në formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.