Xhamia ka ngjallur kureshtjen edhe të qytetarëve të besimeve të tjera e turistëve të huaj me përmasat dhe dekorimet e brendshme. Shumë prej tyre vizituan sot Xhaminë, një ditë pas hapjes së saj me ceremoni të veçantë në prani të Presidentit turk Recep Tayyp Erdogan dhe Kryeministrit Edi Rama.
Ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë ishte i shumëpritur nga besimtarët myslimanë, të cilët kanë tashmë hapësirën e duhur për faljet e Bajramit, pasi deri tani kryenin faljen e madhe në sheshe.
Në hyrje të xhamisë qëndron një Kuran me përmasa më të mëdha se ajo normale, i shkruar me dorë dhe me fletë të verdha. Ngjyrat e brendshme janë ato të besimit islam.
Në ambientet e jashtme po veçanërisht në ato të brendshme bie në sy arkitektura e veçantë, ku mbizotërojnë muralet me motive të besimit fetar dhe historik, punimet artizanale mjeshtërore dhe ngjyra e bardhë në tavane.
Vëmendjen ta tërheqin edhe Kubeja (Kulmi), harqet artistiko-arkitekturore, larjet e arta dhe deri te lampadarët e mëdhenj.
Kurani iu dhurua Myftiut të Tiranës, Gazment Teqja nga Presidenti Erdogan gjatë ceremonisë së përurimit.
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe rreth 10,000 m2, duke përfshirë katër minare me një gjatësi prej 50 metrash dhe një kupolë qendrore të stilit klasik turk, e cila arrin një gjatësi prej 30 metrash.
Bashkë me ambientet e jashtme xhamia mund të akomodojë rreth 7500 besimtarë, kurse brenda saj 5 mijë besimtarë. Kjo xhami plotëson nevojat e besimtarëve për faljet e përditshme edhe për faljen e të premtes.
Në xhami ndodhet salla e madhe në katin e parë, ndërsa në katin e dytë ambienti që falen besimtaret myslimane.