Do të vdisja për Putinin, janë fjalët e aktorit të njohur të Hollivudit të viteve ’80-’90 të shekullit të kaluar, Steven Seagal, sipas ilmessaggero.it.
Dhe Rusia po përgatitet ta dërgojë atë në luftë kundër Ukrainës.
Aktori 72-vjeçar amerikan, edhe nënshtetas rus që prej vitit 2016, sapo ka prezantuar dokumentarin e tij më të ri ”Në emër të drejtësisë”.
Seagal, ylli i filmave aksion, u transferua në Rusi disa kohë më parë dhe ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me SHBA, ku do t’i duhej të paguante gjoba me pesë shifra për shkelje financiare dhe tatimore dhe ku rrezikon gjithashtu ndjekjen penale për akuzat për sulm seksual.
Me kalimin e viteve, aktori është kthyer në një megafon për Kremlinin, madje ka fituar edhe rolin e Përfaqësuesit Special për Kulturën.
Seagal, një prani e rregullt në ceremonitë e Kremlinit dhe gjithashtu një mysafir në betimin presidencial të Putinit në maj, ka mbështetur pushtimin rus të Ukrainës që në fillim.
Në dokumentarin “Në emër të drejtësisë”, aktori vizitoi edhe territoret e pushtuara nga forcat e armatosura ruse dhe arriti edhe në qytetin e Mariupolit.
Aktori gjithashtu i shkroi një letër Putinit, siç tregohet në një klip nga ky dokumentar.
“Tani do të shohim se cilët janë bashkatdhetarët tanë dhe miqtë tanë dhe cilët janë armiqtë tanë. Unë do të jem gjithmonë në anën e presidentit tim dhe do të luftoj përkrah tij. Unë jam gati të vdes nëse është e nevojshme”, thotë Seagal.
Njoftimi i Seagal tërhoqi vëmendjen e partisë ”Veteranët e Rusisë”, e cila u vu menjëherë në dispozicion.
”Ne do të donim t’ju ofrojmë të gjithë mbështetjen e nevojshme nëse vendosni të merrni pjesë në operacione speciale”, lexohet në një letër të presidentit, Ildar Reziapov të lëshuar gjithashtu nga agjencia Ria Novosti.
”Partia falënderon Seagal për mbështetjen e tij për Rusinë në një moment jashtëzakonisht kompleks dhe vlerëson aktorin, një simbol i besnikërisë dhe patriotizmit”, shtohet në të.
Për momentin nuk dihet nëse aktori ka vendosur të përfitojë nga ”shansi” për t’u regjistruar.