Prurjet masive të vizitorëve, kryesisht në plazhet e Rivierës Shqiptare, një zonë bregdetare në jug të vendit e lagur nga deti Jon, po e transformojnë ndjeshëm ekonominë në vend, sipas një artikulli të botuar në revistën prestigjioze spanjolle “El Economista”.
Sipas të dhënave të mbledhura nga analistë të “Oxford Economics”, numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin nga viti 2024 deri në gusht ka arritur në 300% të popullsisë vendase. Që do të thotë se për çdo banor të Shqipërisë, këtë vit kanë ardhur tre turistë të huaj.
Me një popullsi afërsisht 2,8 milionë banorë, gjithsej 8,5 milionë turistë të huaj kanë udhëtuar drejt vendit mesdhetar në periudhën korrik-gusht të këtij viti. Ndërsa në vitin 2023 u regjistruan 10,1 milionë turistë te huaj.
Sipas të dhënave, Shqipëria kryeson duke lënë pas Kroacinë me 250% dhe Greqinë me 150% – vende që kanë qenë destinacione turistike të profilit të lartë prej vitesh.
Rritja me 300% është në kontrast me pak më shumë se 150% të regjistruar nga Shqipëria deri në gusht 2019, gjë që konfirmon ‘bumin’ e kohëve të fundit.
Logjikisht, ekonomia e vendit nuk mund të jetë imune ndaj këtij fenomeni.
Pas disa dekadash izolimi politik dhe ekonomik nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një vend i panjohur për evropianët dhe pjesën tjetër të botës.
Me rënien e komunizmit, vendi u përball me një tranzicion kaotik drejt kapitalizmit, i cili përfshinte krizat financiare dhe rritjen e dobët ekonomike.
Megjithatë, mes gjithë këtij kaosi, hapja në rritje e ekonomisë lejoi, pak nga pak, evropianët dhe pjesën tjetër të botës të njihnin një parajsë natyrore e konsideruar si ‘Karaibet Evropiane’ – falë plazheve me ujëra të pastra kristal dhe peizazheve të pacënuara – në të cilat spikasin mbetjet arkeologjike. Por, jo vetëm kaq.