Një treshe studiuesish të proteinave, duke përfshirë dy drejtues të degës së inteligjencës artificiale të “Google”, “DeepMind”, kanë fituar çmimin Nobel në Kimi, njoftoi sot Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, në Stokholm.
Themeluesi i “DeepMind” Demis Hassabis nga Britania e Madhe dhe shkencëtari amerikan John Jumper njihen për punën e tyre në strukturën e proteinave, së bashku me kimistin amerikan David Baker për kërkimin e tij për projektimin e proteinave kompjuterike.
Hassabis dhe Jumper krijuan së bashku “AlphaFold”, një program i IA-së që parashikonte strukturën – e pothuajse të gjitha proteinave të njohura.
“Për të kuptuar se si funksionon jeta, së pari duhet të kuptojmë formën e proteinave”, tha profesor Heiner Linke – anëtar i Komitetit Nobel për Kimi në Stokholm.
“Për disa dekada, kjo konsiderohej e pamundur, por puna e “DeepMind” bëri të mundur për të parashikuar strukturën komplekse – në thelb – të çdo proteine të njohur në natyrë”, tha Linke.
Vitin e kaluar, çmimi iu dha Moungi Bawendi, Louis Brus dhe Alexei Ekimov për punën e tyre në grimcat gjysmëpërçuese me përmasa nanometër të njohura si pika kuantike.