Ushtria e Koresë së Veriut ka njoftuar planet për të ndërprerë të gjitha lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Korenë e Jugut, njoftoi sot media shtetërore e Phenianit , KCNA.
Shtabi i përgjithshëm i Koresë së Veriut tha se kufiri do të përforcohet gjithashtu me “struktura të forta mbrojtëse” dhe masat do të hyjnë në fuqi menjëherë.
“Këto masa kanë për qëllim ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe parandalimin e luftës”, tha Koreja e Veriut.
Media shtetërore raportoi se ushtria e Koresë së Veriut kishte njoftuar në orën 9:45 të mëngjesit me një mesazh telefonik forcat amerikane – për të shmangur çdo keqkuptim ose konflikt aksidental mbi procesin e fortifikimit.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se në muajt e fundit, Koreja e Veriut kishte vendosur dhjetëra mijëra mina tokësore përgjatë kufirit.
Mbyllja e lidhjeve të mbetura rrugore dhe hekurudhore nga Koreja e Veriut konsiderohet kryesisht simbolike, pasi nuk ka pasur shkëmbim të drejtpërdrejtë përtej kufirit të militarizuar midis dy vendeve për disa vite.
Gjatë një periudhe të shkurtër afrimi në fillim të viteve 2000, Koreja e Veriut hapi zonën speciale Kaesong, ku kompanitë koreano-jugore punësuan punonjës koreano-veriorë për të prodhuar mallra si tekstile.
Koreja e Veriut mirëpriti gjithashtu mijëra turistë të Koresë së Jugut në malet piktoreske Kumgang.
Situata ka ndryshuar që atëherë. Në një takim të Partisë së Punëtorëve në pushtet në fund të vitit 2023, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un i përshkroi marrëdhëniet ndërkoreane midis dy shteteve si ndërluftuese.