Aktiviteti dyditor u organizua në kuadër të nismës së Qeverisë Shqiptare për përmirësimin e edukimit financiar në arsimin parauniversitar nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bankën e Shqipërisë dhe aktorë të tjerë. Programi edukues synoi t’i ndihmojë të rinjtë të përvetësojnë aftësi të qëndrueshme financiare. Bazuar në inpaktin dhe suksesin e tij, ky program pilot i edukimit financiar për të rinjtë, në të ardhmen, mund të shtrihet në shkallë kombëtare dhe të përfshihet në kurrikulat e shkollave parauniversitare.

Edukimi financiar është thelbësor për t’i ndihmuar të rinjtë të ndërtojnë një marrëdhënie të qëndrueshme me financat që në moshë të hershme. Duke mësuar për kursimet, menaxhimin e parasë dhe shpenzimet, ata bëhen më të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për vendimet financiare që ndikojnë të ardhmen e tyre. Kjo i ndihmon të shmangin vështirësitë ekonomike dhe të zhvillojnë strategji të qëndrueshme financiare.

Të pranishmit u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori u shpreh se angazhimi i Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar ka nisur herët dhe ka pasur një rritje konstante, me një gamë të gjerë produktesh e programesh edukative dedikuar grup-moshave të ndryshme, e kryesisht brezit të ri. Ai veçoi modulin me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja”, i cili është pjesë e kurrikulës mësimore që në vitin 2011 dhe mund të zgjidhet nga gjimnazistët në çdonjërin prej 3 viteve të shkollës së mesme, ku deri më sot, janë shpërndarë rreth 100 000 kopje të këtij teksti shkollor tërësisht falas, në të gjithë vendin.