Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka zhvilluar sot, në sallën “Akademikët”, një aktivitet shkencor në fushën e arkeologjisë, ku referoi prof. Albert Hafner.
Ai mbajti leksionin e hapur mbi zbulimet arkeologjike në vendbanimin e Linit, rezultat i ekspeditës së përbashkët shqiptaro-zvicerane, që çoi në zbulimin e vendbanimit palafit më të vjetër në Europë, i datuar mbi 8000-vjeçar.
Këto zbulime janë bërë në bazën e projektit LIN 3 në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetin e Bernës, Zvicër.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari i ASHSH akad. Vasil Tole, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha, drejtori i Institutit të Arkeologjisë Adem Bunguri, anëtarë të ekipit dhe studiues dhe arkeologë të njohur.
Prof. Hafner argumentoi përmes këtij leksioni të hapur se gjetjet e reja në tokën shqiptare mund ta revolucionarizojnë njohjen arkeologjike për Europën parahistorike, si dhe zanafillën e bujqësisë. Objektet e gjetura gjatë punës me projektin LIN 3, çuan në zbulimin e vendbanimit palafit më të vjetër në Europë, që daton deri në 8000 vjet.
Duke marrë në konsideratë kërkimet arkeologjike nënujore të Institutit, të cilat kishin nisur nga viti 2013 në liqenin e Ohrit, prof. Hafner vendosi së bashku me kolegët shqiptarë të fillojnë projektin LIN 3, i cili mendohet të jetë ndër site-t arkeologjike më të mëdha të kësaj natyre.
Kërkimet dhe zbulimet në këtë sit arkeologjik dhanë rezultate shumë të mira për botën shkencore.
Në vitin 2023 analizat dendrokronologjike dhe ato me radiokarbon treguan që vendbanimet palafite në LIN 3 ishin më të vjetrat në Europë, 6000 para Krishtit.
Këto studime lidhin paralele edhe me vendbanimet në Dunavec, Dispilo, Maliq dhe Plloçë.
Hafner e konsideron si vendbanimin më të vjetër të këtij lloji në Europë.
Gërmimet në sondazhet e tokës dhe ato nënujore në vitet 2021-2024 demonstrojnë që ky sit është banuar për rreth 2000 vjet. Nga 6000 para Krishtit deri në 4000 para Krishtit.
Prof. Hafner është një nga personalitetet më në zë në Europë për studimin e vendbanimeve palafite.
Ai, në kuadër të këtij projekti të madh europian, filloi një bashkëpunim të suksesshëm në Shqipëri me Institutin e Arkeologjisë.
Pas një eksperience të gjatë kërkimesh në vendbanimet palafite alpine, prof. Hafner në bashkëpunim me studiues të tjerë, nëpërmjet projektit europian EXPLO, nga viti 2018 ka fokusuar në studimet e tij vendbanimet palafite të Ballkanit Perëndimor.
Puna është në progres dhe rezultatet janë shumë premtuese.
Rezultatet e kërkimet të viteve të mëparshme (2021, 2022 dhe 2023) dhe analizat laboratorike të kryera në Universitetin e Bernës në Zvicër, si dhe ato në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit në Angli, treguan se vendbanimi palafit (liqenor) “Lin 3” është vendbanimi më i vjetër i këtij lloji në Europë.
Gërmimet e këtij viti ekspedita shqiptaro-zvicerane po i orienton në njohjen e mëtejshme të shtrirjes së vendbanimit, kohëzgjatjen, kulturën materiale e shpirtërore të banorëve neolitikë, kompleksitetin e ndërtimeve të këtyre vendbanimeve liqenore; si dhe në aspekte të ekonomisë bujqësore e blegtorale dhe të raporteve kulturore e kronologjike me vendbanimet e këtij lloji në trevat përreth (në pellgun e Korçës, Greqinë Veriore e Maqedoninë e Veriut).
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit po përgatit ndërkaq dokumentacionin arkeologjik të nevojshëm për vënien në mbrojtje dhe shpalljen e tij zonë arkeologjike.