Guvernatori Sejko theksoi se dëshmi e lidhjes së fortë mes dy vendeve janë investimet e huaja direkte të Austrisë të cilat përfaqësojnë rreth 6% të totalit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, me një kontribut të dukshëm në sektorin financiar. Gjatë këtij takimi Guvernatori Sejko vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Austria në procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, dhe u shpreh besimplotë se bashkëpunimi ekonomik dhe teknik midis dy vendeve mund të zhvillohet edhe më tej.
Në vijim, Guvernatori Sejko e njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit makroekonomike në vend, reformat e ndërmarra, si edhe pritshmëritë për periudhën në vazhdim. Guvernatori Sejko theksoi se pavarësisht situatave sfiduese me të cilat është përballur, ekonomia shqiptare qëndron në një trajektore pozitive zhvillimi, ku vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit. Inflacioni mbetet në nivele të ulëta, por pritet të kthehet gradualisht në objektivin e Bankës se Shqipërisë gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, bilancet financiare të sektorit privat dhe të sektorit bankar janë të shëndetshme. Së fundmi vihet re dhe një përmirësim në balancën e sektorit të jashtëm ku niveli i borxhit të jashtëm është ne nivelet më të ulëta të dekadës.
Duke u ndalur në veçanti në zhvillimet e sektorit bankar Guvernatori Sejko theksoi se ky sektor karakterizohet nga bilance financiare likuide dhe të mirëkapitalizuara si dhe ka një rezistencë të lartë ndaj goditjeve potenciale. Guvernatori theksoi se këto zhvillime në tërësi janë pasqyrim i politikës së kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, si dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të sektorit bankar.
Guvernatori Sejko u shpreh se euroizimi i sistemit financiar ka ndikim të rëndësishëm mbi efektivitetin e politikave ekonomike, dhe për këtë qëllim Banka e Shqipërisë në bashkëpunim edhe me qeverinë shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash që synojnë zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.