“Muzika dhe arti është në vend të vet n’Shkodër”, shkroi kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, në rrjetet sociale, ndërsa ndau edhe një material filmik nga aktiviteti.
Ky takim i orkestrave frymore u mbajt në tri sheshe, nga tri orkestra të cilat përcollën tingujt e muzikës në çdo zonë të qytetit. Ditën e dytë të aktivitetit, orkestrat frymore parakaluan nga pika të ndryshme të qytetit drejt sheshit “Nënë Tereza”. Më tutje ato marshuan të gjitha bashkë drejt sheshit të Bashkisë Shkodër.
Drejtues artistik i këtij aktiviteti ishte Bardhyl Hysa, që pati mbështetjen e bashkisë dhe të Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”.
Në aktivitet pati edhe orkestra frymore nga Kosova, Mali i Zi dhe Italia. Shkodra njihet si qyteti i themelimit të orkestrës së parë frymore në Shqipëri, në vitin 1878, ndërkohë që vitet e fundit, në më shumë se 10 qytete të Shqipërisë janë ringritur orkestrat frymore.