EU4Culture, fuqizim i ekonomisë lokale përmes kulturës dhe historisë

0
4

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u takua me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato me të cilin diskutoi për progresin e projekteve të përbashkëta mes Bashkimit Evropian dhe MEKI-t.

“Me mbështetjen e BE-së, kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e projekteve që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në kulturën dhe ekonominë tonë”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Në takim është diskutuar për ecurinë e programit EU4Culture, i cili është fokusuar në rijetësimin e monumenteve të kulturës dhe qyteteve historike me rëndësi të veçantë për trashëgiminë tonë kulturore.

Ky program jo vetëm që synon të rikthejë shkëlqimin e këtyre zonave, por edhe të nxisë turizmin dhe të fuqizojë ekonomitë lokale përmes kulturës dhe historisë të pasur shqiptare.

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Programi ka në qendër rinovimin dhe rijetësimin e objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë euro.