Nënkryetari i Kuvendit dhe drejtuesi politik i socialistëve, Bledi Çuçi, ishte në Vlorë, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe kryebashkiakun Ermal Dredha për të parë nga afër situatën emergjente të krijuar pas reshjeve intensive të shiut.
Ata u ndalën te hidrovori i Vlorës ku po vijon ndërhyrja për normalizimin e situatës.
Çuçi tha se, të gjitha strukturat shtetërore janë në terren prej momenteve të para kur nisi kjo emergjencë dhe aktualisht gjendja është drejt përmirësimit.
Por sipas, tij do të duhet të bëhet një vlerësim i mirë i kësaj që ka ndodhur dhe të merren të gjitha masat për ndërhyrje në infrastrukturën e kanalizimeve, si dhe të ndihmohen qytetarët dhe bizneset e prekura nga përmbytjet.
Më tej Çuçi mori pjesë edhe në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave në Prefekturën Vlorë, ku u diskutuan më gjerësisht masat për kapërcimin e kësaj situate.